Me emrin e Tij - i lartmadhëruar
qoftë.
"Dhe s'ka asnjë send që
nuk e madhëron Atë (nuk i bën tesbih). "
[Kjo letër përbëhet nga dy kapituj.
Kapitulli i parë i thërret besimtarët (muslimanë) në vëllezëri dhe dashuri të
ndërsjellë dhe për pangopësinë si shkas i shqetësimeve shpirtërore të njeriut.]
Në emër të All-llahut të
Gjithëmëshirshmit, Bëmirësit
"S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër,
pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj.
Largoje të keqen me atë që është më e
mirë!. Pastaj ja, ai mes të cilit dhe mes teje pati armiqësi (do të bëhet) si
të ishte mik i ngushtë.
(Të shpëtuar janë) edhe ata të cilët e
falin njëri-tjetrin, vërtet All-llahu i do shumë bamirësit. "
Ndër shkaqet më kryesore për ndasitë
dhe përçarjet mes besimtarëve janë: inati, xhelozia, urrejtja dhe ambiciet
ndjellakeqe të cilat çojnë deri në hipokrizi. Të gjitha këto janë të papranuara
dhe të dënuara. Ato në tërësi i gjykon realiteti, urtësia dhe shpirtgjerësia
Islame.
Po ashtu duhet ditur se armiqësia
është dëm i rrezikshëm, shkatërron jetën shpirtërore të njeriut, atë personale
dhe shoqërore. Madje, është helm që helmon jetën njerëzore.
Për këtë të vërtetë ka shumë argumente por ne do t'i
përmendim vetëm gjashtë prej tyre:
Argumenti i parë:
- Me të vërtetë armiqësia e njeriut ndaj vëllait të tij realisht është një
krim.
O ti që zemrën tënde e ke mbushur me
urrejtje dhe armiqësi ndaj vëllait tënd besimtar dhe që të mungon urtësia! Merr
një shembull: sikur ti ndodhesh në një anije (barkë) ose në një shtëpi ku së
bashku me ty janë edhe nëntë persona të mirë dhe një kriminel. Ti vëren se
dikush po orvatet të fundosë anijen ose të rrënojë shtëpinë mbi ju. S'ka dyshim
se në atë çast ti do të thërrasësh me zë të lartë duke kundërshtuar atë që
orvatet të bëjë zullum mbi ju, pasiqë nuk ka ligj që lejon fundosjen e anijes
në të cilën gjenden nëntë kriminelë por në atë është një i pafajshëm.
Pasi ajo është një zullum i pashoq dhe
një akt i turpshëm, po ashtu armiqësia dhe urrejtja jote ndaj besimtarit i cili
është ndërtesë dhe anije e Zotit. Pse në të gjendet një ves i keq ti e urren
atë dhe e sheh të rrezikshëm, edhe pse ai posedon nëntë cilësi të mira madje
mund të ketë njëzet sosh: Siç është imani i tij, Islami i tij, fqinjësia etj.
Armiqësia dhe xhelozia ndaj tij të nxisin padyshim në fundosjen e anijes së
ekzistimit ose zhdukjes së qenies së tij, për një gjest të tij që ty stë pëlqen
e kjo nuk është asgjë tjetër përpos se një krim dhe armiqësi e turpshme.
Argumenti i dytë:
- Armiqësia sipas vështrimit të
urtësisë është krim, ngase armiqësia dhe dashuria në esencë janë dy gjëra të
kundërta që nuk mund të bashkohen dhe kjo është shumë e qartë, siç nuk mund të
bashkohen drita dhe errësira në kuptimin e vërtetë. Kur në një zemër mbizotëron
dashuria dhe arsyet për të janë të bollshme, ajo ngulitet në zemër, atëherë
armiqësia mbetet artificiale bile ajo shndërrohet në ngrohtësi dhe dhimbje
(ndaj tjetrit) ngase besimtari e do vëllanë e tij dhe i takon që ta dojë,
ndërsa çdo sjellje të papëlqyeshme që ai e sheh tek vëllai i tij ai brengoset
për të dhe i dhimbset. Ai duhet të përpiqet dhe të kontribuojë për përmirësimin
e tij me urtësi dhe mençuri e jo me fuqi e presion. Transmetohet në hadithin e
Muhammedit s.a.v.s. ku thuhet:
"Nuk i lejohet besimtarit hidhërimi
me vëllain e tij më shumë se tri ditë, (kur) ata takohen dhe njëri tjetrit ia
kthejnë fytyrën, më i miri nga ata është ai që i pari i jep selam vëllait të
vet".
Kur mbizotrojnë hidhërimi dhe
armiqësia, në atë rast dashuria shndërrohet në formalitet dhe njeriu mundohet
në mënyrë artificiale të paraqitet si dashamir i të tjerëve. Andaj kije
parasysh o zullumqar, se sa zullum i madh është kur besimtari urrenë dhe e
armiqëson vëllain e vet (musliman).
Kjo i ngjan sikur t'i konsiderosh disa
guralecë të thjeshtë më të çmuar se Qabeja e bekuar dhe më të mëdhenj se kodra
e Uhudit. Me këtë vlerësim ti dëshmon një çmenduri të hatashme.
Çmenduri e njëjtë është kur i zmadhon rrëshqitjet dhe gabimet e vëllait
tënd të cilat janë të vogla dhe të thjeshta sa guralecat ndërsa ti ato i
konsideron më të rëndësishme se imani i vëllait tënd dhe më të mëdhenj se
Islami i tij. Ai me imanin që posedon është i bekuar sikur Qabeja dhe me
Islamin është më i madh se kodra e Uhudit, zmadhimi i gabimeve të vëllait tënd
nga ana yte mbi vlerën e imanit dhe Islamit të tij është një zullum që e kupton
çdonjëri që sadopak ka mend.
Pa dyshim, besimi në një akide (në
Zotin Një dhe në Pejgamberin s.a.v.s.) kërkon bashki?min e domosdoshëm të
zemrave të muslimanëve dhe ato të bëhen si një zemër. Besimi Islam kërkon
bashkimin e shoqërisë (Islame).
Ti s'mund të mohosh se ndien një
afërsi shpirtërore ndaj atij që je me të në një batalion dhe ndien një shoqëri
me të kur keni një komandant të përbashkët. Bile ndien një lidhje vëllazërore
me atë që jeton në një qytet.
E pse të mos kesh lidhje vllazërore me
atë që të bashkon besimi, i cili
të jep dritë dhe ndjenja për një vëllazërim të ngushtë në shumë aspekte,
madje kur arsyet për lidhshmërinë vëllazërore (ndër besimtarët) janë aq sa janë
emrat e bukur të Zotit. P.sh.
,
Krijuesi i juaj është Një,
,
Pronari i juaj është Një,
,
Të adhuruarin e keni Një,
,
Furnizuesin e keni Një.
Po ashtu gjërat e përbashkëta një pas një mund të arrijnë
deri në një mijë.
,
I Dërguari i All-llahut tek ju
është Një,
,
Feja juaj është një,
,
Kibleja një.
Po ashtu një pas një mund të arrinë në njëqind.
,
Ju jetoni së bashku në një fshat
(ose lagje),
,
Në një shtet ose qytet.
Po ashtu një pas një deri në dhjetë. Pasiqë të gjitha
këto arsye ftojnë në një bashkim, bashkëpunim, pajtim, dashuri dhe vëllazërim,
këto janë zinxhirët shpirtëror, me të cilët qëndrojnë qiejt dhe toka.
Nuk ka më zullumqar se ai i cili të
gjitha këtyre ua kthen shpinën, i injoron dhe merret me disa arsye jo të
rëndësishme të cilat janë më të dobëta se pëlhura e merimangës. Pra ato janë
nga të cilat lindin përçarjet, hipokrizia, xhelozia dhe armiqësia, të cilat
hudhen në gjoksin e njeriut dhe e armiqësojnë atë me vëllain e tij besimtarë.
A nuk është kjo një nënçmim i gjith
atyre arsyeve që çojnë në bashkim, a nuk është kjo një nëpërkëmbje e atyre
fakteve që ftojnë në unitet dhe dashuri, a nuk është kjo një asgjësim i atyre
lidhjeve që obligojnë vëllazërimin? Nëse zemra nuk të ka vdekur dhe drita
shpirtërore nuk të është shuar, këtë duhet ta kuptosh mirë.
Argumenti i tretë:
- Me të vërtetë ajeti fisnik:
"Se askush
nuk bart barrën e (mëkatit) tjetrit".
Askush nuk mban përgjegjësi për
mëkatin e tjetrit dëshmon për një drejtësi absolute. Pasi që nuk lejon dënimin
e njeriut për gabimin e tjetrit. Ti e ke të qartë se Kur'ani i madhërishëm,
bazat tjera të sheriatit, etika e njerëzve të drejtë dhe urtësia Islame, të
gjitha të bëjnë të kuptosh se Armiqësia ndaj besimtarit dhe urrejtja e tij
demostrojnë krim ndaj tij. Pasi ti i gjykon të gjitha cilësitë e tij të
pafajshme për gabimin e një vesi të keq e sidomos kur ti armiqësohesh me
farefisin dhe familjen e tij për fajin e një vesi të tij ky është krim edhe më
i madh. Mu ashtu siç e përshkruan Kur'ani fisnik në trajtën hiperbolike ku
thotë:
"Vërtetë
njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës."
Me të vërtetë njeriu e tepron
zullumin.
Edhe pas kësaj mundohesh të gjeshë arsye dhe të shtiresh
se ti je në të drejtë. (Kur armiqësohesh) duhet ditur se veset e këqia që
nxisin në hidhërim dhe armiqësi, në këndvështrimin real, janë të forta dhe të
shtanguara sikur dheu, guri etj., poashtu është edhe e keqja.
Nga specifika e gjërave të shtanguara
është se ato nuk depërtojnë dhe nuk reflektojnë. Ndërsa humaniteti, mirësia
etj., si shkaqe të dashurisë janë
sikur drita dhe dashuria që depërtojnë dhe reflektojnë tek të tjerët, prandaj
proverbi popullor thotë:
"Miku i mikut tim është miku im". Poashtu
thuhet:
"Për hirë të një syri një mijë sy nderohen". Ja
pra o zullumqar a thua edhe mëtutje mendon se e vërteta është në anën tënde
pasi e kuptove se ç'është e vërteta. Nëse armiqësia të nxit kundër farefisit të
atij që ti urren një sjellje të tij, ose i urren miqtë e tij, kjo është në
kundërshtim të madh me realitetin.
Argumenti i katërt:
- Me armiqësinë tënde ndaj besimtarit
ti bën krim ndaj vetvetes. Nëse dëshiron ta kuptosh më qartë fundamentin e
argumentit të katërt, ne për këtë do të ofrojmë katër parime:
Parimi i parë:
Kur ti je bindur se e vërteta është në
anën tënde dhe se mendimi dhe sjelljet e tua janë më të qëlluara, në atë rrast
ke të drejtë të pohosh se:
Mendimi im është i vërtetë ose më i miri.
Por nuk të lejohet të thuash:
Se e vërteta është ajo që them unë dhe s'ka tjetër të
vërtetë pos asaj.
Që moti një poet ka thënë:
"Syri i pëlqimit para çdo të met është i verbëruar,
por syri i zemërimit i publikon mangësitë", me këtë përfundojmë se
pikpamjet e tua me egoizëm dhe mendimi yt i vetpëlqyer nuk mund të jenë bazë e
as që mund të jenë gjykim ndaj të tjerëve dhe ato ti t'i shpallësh të
pavlefshme.
Parimi i dytë:
Ti ke të drejtë që çdo herë kur të
flasësh ta thuash të vërtetën. Por nuk ke të drejtë që t'i paraqitësh të gjitha
të vërtetat. Ti ke për obligim çdoherë ta thuash të vërtetën por jo t'i thuash
të gjitha të vërtetat, ngase ai që nuk është i sinqertë, sikurse ti, ka gjasa
që këshilla jote ndaj tij të sjellë tek ai pasoja negative.
Parimi i tretë:
Nëse dëshiron të armiqësosh dikë,
armiqëso (egon) që ke në zemrën tënde dhe përpiqu që ta shuash zjarrin e saj
dhe ta çrrënjosësh atë. Mundohu ta armiqësosh armikun më të rrezikshëm që prej
tij të kanoset rreziku më i madh. Ai është (nefsi emmare) egoja të cilin e bart
me vete. Luftoje ate, mundohu ta përmirësosh dhe për hir të tij mos u armiqëso
me (vëllezërit) muslimanë.
Po ashtu nëse dëshiron të
armiqësohesh, armiqësoi të pabesët dhe të pafetë, të cilët janë shumë.
Duhet ta keshë parasysh se cilësitë e dashurisë vetvetiu
janë të dashura dhe është e natyrshme që të duhen. Kurse veset e urrejtura para
së gjithash duhet të armiqësohen.
Po që se dëshiron të ngadhënjesh mbi armikun tënd, të keqen e tij ktheja
me të mirë. Me atë do ta shuash zjarrin e armiqësisë. Po që se të keqes së tij
i përgjigjesh me të keqe, armiqësin do ta shtosh. Po edhe nëse ti atë e mund,
zemra e tij do të mbushet me hidhërim ndaj teje. Armiqësia mbetet dhe hidhërimi
do të vazhdojë. Ndërsa, kur ti të keqen e kthen me të mirë ai pendohet dhe ka
gjasa të të bëhet mik i afërt, ngase natyra e besimtarit është që ai të jetë
fisnik. Andaj nëse ti e nderon (dhe e respekton) e përfiton dhe të bëhet vëllai
yt.
Po edhe sikur të mos jetë fisnik në
pamjen e rëndomtë, por ai në mbrendi është fisnik me imanin e tij.
Lidhje me këtë imam Shafiu thotë:
Kur ti fisnikun e nderon
zemrën e tij e përfiton.
Kur të marrin e nderon
ai në të keqe e tepron.
Praktika na dëshmon se të këqiut kur i
thua ti je i mirë, në shumë raste e nxit kah e mira. Po ashtu nëse të mirit i
thua i keq e i prishur, ka gjasa që të bëhet i keq. Andaj me zemër dëgjo fjalën
e Zotit të lartmadhëruar në të cilën është shpëtimi dhe rehatia, ku Ai thotë:
"Dhe kur kalojnë pranë së keqes, kalojnë duke e
ruajtur karakterin e vet. Nëse nuk merrni masa, nuk ua vini veshin dhe i falni,
ta dini se edhe All-llahu është Mëkatfalës, Mëshirues".
Parimi i kartërt:
Ata të cilët në zemrat e tyre kanë urrejtje dhe armiqësi
ndaj vëllezërve të tyre besimtarë, duke tentuar t'i dëmtojnë vëllezërit e vet e
dëmtojnë vetveten. Kështu tejkalojnë kufijtë e mëshirës së All-llahut, ngase me
urrejtjen dhe armiqësinë ndaj të tjerëve bën sulm ndaj vetvetes, ku përjeton
ndëshkim të rëndë çdo herë kur e sheh të mirën tek vëllai i tij dhe ajo e
mundon shpirtërisht. Kur armiqësia buron nga xhelozia është dënim i
pakrahasueshëm i vetvetes.
Xhelozia e dëmton më shumë vetë
xhelozin se sa atë ndaj të cilit njeriu ka xhelozi. Me zjarrin e xhelozisë më
tepër digjet vetë xhelozi.
Nëse dikush lakmon punët e dikujt me
të cilat fitohet jeta e amshueshme, ajo lakmi nuk llogaritet xhelozi.
Po që se dikush e ka inati dikë pse ai
bën punë të mira, atëherë duhet t'i bie pas vetes se i humbë edhe punët e veta
të mira për shkak xhelozisë ndaj vëllait të vet. Po ashtu duhet ditur se
personi me xhelozinë ndaj vëllezërve të vet, shpreh hidhërimin e tij ndaj
kaderit (përcaktimit) të All-llahut pasiqë ai pikëllohet pse All-llahu dikujt i
ka dhuruar të mira nga dhuntia dhe mëshira e Tij.
Kështu ai sikur e kundërshton kaderin
e Zotit dhe mëshirën e Tij të gjërë. Është e ditur se ai që kundërshton kaderin
e All-llahut i ngjan atij që i mëshon murit me kokë e ai që nuk pajtohet me
mëshirën e All-llahut (ndaj të tjerëve), nuk mëshirohet.
Vallë, a mundet logjika e shëndoshë të
pajtohet që besimtari të qëndrojë i hidhëruar një vjet me vëllanë e tij për një
çështje shumë të thjeshtë, saqë për te nuk meriton të rrihet i hidhëruar as një
ditë. Dhe një gjë nuk duhet harruar se për të keqen që të vjen nga vëllai nuk
duhet fajësuar atë tërësisht dhe nuk duhet hakmarrur ndaj tij, për disa arsye.
E para:
- Mos harro se në atë fatkeqësi që të
godet ty ka pjesë edhe kaderi. Andaj ti atë pjesë të kaderit duhet pritur me
pëlqim dhe dorëzim të plotë.
E dyta:
- Duhet patur parasysh se tek vëllai
juaj kanë ndikim shejtani dhe vesi të cilët nxisin në punë të këqia dhe në
armiqësi. Kur ke parasysh këto, atëherë nuk të mbetet tjetër përpos që të të
dhimbset ai e jo të armiqësohesh me të, pasi që ti e din se ai është i mundur
nga shejtani dhe vesi i tij. Andaj duhet pritur që ai të pendohet nga e keqja
dhe t'i kthehet të vërtetës.
E treta:
- Përkujto dhe mos i harro të metat
tua edhe pse ndonjëherë dëshiron ti harrosh. Kur do t'ia bashkangjitësh të
metat dy arsyeve të lartpërmendura me seriozitet dhe me sinqeritet, atëherë
vëllanë tënd do ta arsyetosh dhe do t'ia falish. Kështu do t'i shmangesh
zullumit të vëllait dhe do të shpëtosh nga dëmi i të tjerëve.
Në të kundërtën do ti përngjash atij
çifutit të marrë i cili ka dhënë tërë pasurinë e tij për të blerë një copë
qelqi që nuk vlen aspak dhe disa copa akulli që shkrihen së shpejti, e ai duke
menduar se ka blerë elmas (diamant).
(vëlla i dashur) Pas këtyre fjalëve që
thamë, mendojmë se të është bërë e qartë se sa dëm të madh i sjell armiqësija
njeriut në jetën e tij. Andaj nëse e do vetveten, mos i lejo armiqësisë të hyjë
në zemrën tënde, por nëse ajo ka hyrë dhe ka bërë vend, ti mos e dëgjo atë (por
mundohu ta nxjerrësh atë nga zemra jote).
Një njeri i urtë, pra hafidh
El-Shirazi thotë:
E gjithë dunjaja nuk kushton e as që vlenë që për të
njerëzit të zihen mes vete.
Pasi që dunjaja është kalimtare dhe
është e pavlefshme, atëherë a ka logjikë që për punë të vogla të pavlefshme të
bëhen ngatërresa.
Shirazi pohon se rehatia dhe shpëtimi në të dy botërat
është në dy gjëra:
Me miqtë të sillesh me dashuri dhe respekt, ndërsa me
armiqtë me mirëkuptim dhe me tolerancë.
Po nëse thua:
"Unë nuk mund t'i shmangem
armiqësisë ngase atë e kam në natyrën time, dhe ajo nuk mvaret nga unë, e
sidomos kur të tjerët më provokojnë dhe unë nuk mund t'i tejkaloj".
Përgjigja do të jetë:
Njeriu nuk bartë përgjegjësi për
armiqësinë që e ndjen në thellësinë e zemrës pa dashjen e tij, nëse ai nuk i
përgjigjet urrejtjes dhe nuk e aplikon atë në vepra, si përgojimi, shpifja,
tentimi për të bërë keq, hakmarje etj. Bile kur ti e pranon se nuk mund ta
eliminosh atë nga zemra jote por mundohesh ta frenosh të keqen, do të shpëtosh
nga pasojat e asaj që ke në brendi dhe do të konsiderohesh nga pendimtarët dhe
ata që kërkojnë falje.
Qëllimi ynë final për shkrimin e këtij
kapitulli të kësaj letre është që të arrihet istigfari (kërkimfalja) i
brendshëm, pra ai shpirtëror dhe besimtarit të mos i mbështillet e vërteta me
të pavërtetën dhe të mos e dëmtojë armikun e tij ai duke qenë në të drejtë.
Mua personalisht më ka ndodhur një
ndodhi që duhet përmendur: pashë një ditë një njeri i cili njihej se është
dijetar, nënçmonte një dijetar të ndershëm. Duke nënçmuar arriti deri sa e
akuzoi atë me kufër, (mosbesim). E gjithë kjo ndodhi për shkak të
mosmarrëveshjes së tyre për një çështje politike. Nga ana tjetër i njëjti njeri
filloi të lavdrojë dhe të thotë fjalë miradie për një munafik (hipokrit) i cili
ishte me të në të njëjtën vijë politike.
Nga kjo ndodhi më kaploi një dridhje
dhe më tronditi saqë kërkova ndihmë prej Zotit nga ajo që na solli politika dhe
thashë:
Kërkoj mbrojtje prej Zotit të më ruaj nga shejtani dhe politika.
Që nga ai moment e braktisa fushën politike.
Parimi i pestë:
- Kjo pikë na bën me dije se sa të
dëmshme janë për jetën e shoqërisë inati, kundërshtimi, ndasia dhe përçarja.
Në një hadith të Pejgamberit s.a.v.s. thuhet:
"Kundërshtimi i ummetit tim është mëshirë. Kurse
kundërshtimi çon në ndasi, grupacione dhe në kënaqje të mendimit
personal".
Ashtu është, por në mosmarrëve?shjet e
dikujt ndonjëherë ka mëshirë siç është rasti kur mes vete paria zullumqare
(elita) kundërshtohen në ndonjë fshat apo qytet, ajo është mëshirë për njerëzit
e dobët dhe të rëndomtë. Ndërsa kur ata janë unik, për të tjerët është më
vështirë. Pastaj në rrahjen (ndeshjen) e mendimeve dhe në ndërrimin e ideve me
dialog të matur në shumë raste del në shesh e vërteta.
Përgjigje:
Për pyetjen e parë japin këtë
përgjigje: me divergjencën e përmendur në hadith është qëllimi për divergjencën
pozitive me të cilën del në shesh e vërteta dmth., të përpiqet çdonjëri që ta
nxjerr në shesh qëndrimin dhe mendimin e
vet duke mos tentuar që t'i mposhtë mendimet e të tjerëve dhe duke mos u
orvatur që t'i asgjësojë mendimet dhe qëndrimet e palës kundërshtare. Por të
ketë qëllim dhe të përpiqet që të plotësohen zbrazëtirat dhe të përmirësohet
gjendja aq sa ka mundësi.
Kurse divergjenca negative me të cilën
bëhet përpjekje të asgjësohet dhe të mposhtet mendimi i tjetrit dhe të nënçmohet
njëri-tjetri nëpërmes të cilit fitohet urrejtje dhe hidhërim, ajo divergjencë
dhe ai dialog është i papranuar në kuptimin e hadithit, ku ata që zihen mes
vete dhe polemizojnë për të mbizotëruar mendimi i tyre e jo për të dalë e
vërteta në shesh. Nuk janë në gjendje të bëjnë as një punë të suksesshme dhe me
peshë.
Pyetjes së dytë i përgjigjemi:
Nëse ndasia dhe kundërshtimet bëhen
për hir të vërtetës dhe në emër të saj, kjo është e logjikshme dhe ju takon
njerëzve që e duan realitetin.
Por përkundrazi përçarjet dhe grupacionet të cilat janë
prezente sot, janë si pasojë e interesit personal dhe cytjeve të epshit. Në të
gjejnë strehim qëllimkëqijtë dhe mbështetje kriminelët. Zullumi duket qartë në
sjelljet e tyre. Nëse ndonjërit prej tyre i vjen shejtani (djalli) në ndihmë
dhe e përkrah mendimin e tij do të shohish se si ai do ta lavdërojë atë dhe do
të lutet për të. Ndërsa kundërshtari i tij sikur të jetë i mirë si meleku
(engjëlli), ai atë do ta mallkojë dhe akuzojë.
Pyetjes së tretë i përgjigjemi:
Kur mospajtimi dhe rrahja (ndeshja) e
mendimeve bëhet me qëllim që të arrihet tek e vërteta dhe për hir të saj.
Kur polemikat bëhen rreth mënyrës dhe
metodës se si të arrihet tek e vërteta.
Kur qëllimi i dy palëve është i
njëjtë, pra gjetja e hakut (vërtetës), ky lloj polemizimi mund të shërbejë për
zbulimin e së vërtetës, të nxerrjes në shesh dhe për ta bërë atë sa më të
qartë.
Në të kundërtën, kur polemika bëhet me
tentim që e vërteta të shërbejë si mjet për qëllime personale që me atë dikush
të mbizotërojë dikë, për të ngopur epshin djallëzor, për të fituar poena ose
për të dalë në skenë si triumfues dhe ngadhnjimtar. Nga polemikat dhe
diskutimet që bëhen për këto qëllime nuk ndriçohet aspak e vërteta, por
përkundrazi nga kjo lindin gacat e fitnes dhe egoizmi i faraonizuar. Në mesin e
tyre nuk ka qëllime e as ide të përbashkëta, bile në tërë rruzullin tokësor nuk
mund të gjesh një pikë të përbashkët në mendimin e tyre, sepse qëllimi i tyre
nuk është haku. Prandaj, gjithmonë e teprojnë në armiqësi dhe i kalojnë
kufijtë, saqë nuk lënë vend për bashkim, as për pajtim, dhe situata në të cilën
gjendemi sot na dëshmon për këtë që thamë.
Shkurtimisht mund të themi:
Kur sjelljet e besimtarit dhe veprat e
tij nuk janë në pajtueshmëri me normat të cilat i parasheh hadithi i
Pejgamberit s.a.v.s. të cilin e transmeton Buhariu dhe Muslimi ku thuhet:
"Dashuri për
hirë të All-llahut dhe urrejtje për hirë të All-llahut", dhe kur për çdo
çështje nuk i dorëzohemi ligjit dhe gjykimit të All-llahut. Në atë rast do të
mbizotërojë hipokrizia dhe përçarja. Ai që nuk udhëzohet në këtë parim bën
zullum (krim) dhe e nëpërkëmbë të drejtën.
Një ndodhi që prek shpirtin.
Në një luftë të muslimanëve me të
pafetë, Aliu r.a. doli në dyluftim me komandantin e tyre. Aliu e mundi dhe e
rrëzoi përtokë. Kur ai hoqi
shpatën ta mbys atë, ai e pështyu Aliun në fytyrë. Aliu atëherë e lëshoi, e
la dhe u largua nga ai.
Kundërshtari i habitur nga ky gjest i tha Aliut:
Pse nuk më preve (therre)?
Imami iu përgjigj:
Unë luftoja për hirë të All-llahut por ti pasiqë më
pështyre, u frigova se vallë nëse të mbys mos më konsiderohet si hakmarrje ndaj
teje. Andaj të lirova për hirë të All-llahut.
I pafeu shtoi:
Ishte e udhës që pështyrja ime ty të të hidhërojë dhe të
më mbysësh sa më shpejtë por pasi që ju i besoni kësaj feje që preferon
tolerancën maksimale, padyshim kjo është fe e vërtetë.
Një ndodhi tjetër:
Në një kohë, një sundimtar musliman e
suspendoi gjykatësin për shkak se ai me hidhërim dhe mllef të tepruar po ia
prente dorën një hajni. Ndërsa dihet se ai që zbaton urdhërin e Zotit nuk duhet
të jetë nën ndikimin e hidhërimit, por ndaj të pandehurit duhet të jetë i
matur, kur ai zbaton normën e sheriatit. Mirëpo gjykatësi kishte rënë nën
ndikimin e hidhërimit, gjë që nuk i lejohet gjykatësit musliman. Për këtë
sunduesi e suspendoi atë.
Sëmundje të rrezikshme shoqërore dhe
gjendje brengosëse e kanë goditur popullin musliman saqë nga pikëllimi, zemra e
muslimanit pikon gjak. Fiset më të prapambetura e kuptojnë kur ju kanoset
rreziku. Ata i lënë mosmarrëveshjet mes vete dhe i harrojnë armiqësitë
sekundare kur ata i sulmon ndonjë armik i jashtëm.
Edhe fiset më të prapambetura dinë ta
mbrojnë interesin e përbashkët. E, pse ata që marin përsipër mbrojtjen e
islamit dhe thirren në atë nuk i harrojnë armiqësitë e tyre personale, por ua
hapin rrugën armiqve të jashtëm të panumërt që t'i sulmojnë, pasiqë ata janë të
gatshëm të sulmojnë nga çdo vend. Kjo gjendje është trishtuese, shkatërrim
brengosës dhe tradhëti ndaj Islamit dhe muslimanëve.
Lidhur me këtë do të përmendi një ndodhi nga e cila duhet
marrë mësim:
Kanë qenë dy familje prej fisit beduin
Hasenan dhe në mes tyre ka patur përleshje të përgjakshme, saqë si pasojë e tyre kanë rënë viktimë mbi pesëdhjetë
burra. Por, çdo herë kur iu kanosej rreziku nga fisi Sebkan ose Hajderan ata
bashkoheshin, ndihmonin njëri-tjetrin dhe i harronin krejtësisht mosmarrëve?shjet
mes vete.
O popull musliman, a e dini se sa janë
fiset e armiqve që përgatiten ta sulmojnë fisin musliman? Ata janë më shumë se
njëqind dhe ata kundër Islamit dhe muslimanëve janë të lidhur sikur hallkat e
zinxhirit rreth e përqark. Muslimanët kanë nevojë të bashkohen, homogjenizohen
dhe të bëjnë rreshtimin e radhëve që ta pengojnë sulmin e çdonjërit prej tyre,
për fat të keq ata bëjnë inat dhe çdonjëri vepron sipas ëndjes dhe egos së tij
personale, ku në atë mënyrë ua përgasitin terenin dhe ua hapin dyert armiqve që
të hyjnë në oborrin e garantuar Islam.
A i ka hije kjo popullit musliman?
Po të duash t'i numërosh grupet e armiqve që rrethojnë
Islamin, ata fillojnë prej atyre të humburve, ateistëve e deri tek të pafetë.
Telashet e dynjasë, situata e destabilizuar etj., të gjitha këto janë hallka të
lidhura mes vete që mund të arrijnë shtatëdhjetë sosh. Të gjithë dëshirojnë dhe
pandërprerë tentojnë t'ju godasin me të keqe. Të gjithë presin momentin që të
hakmirren ndaj jush. Ju përballë gjithë këtyre armiqëve nuk keni me çka të
mbroheni përpos armës së mprehtë, hendekut të sigurtë dhe kalasë së fortifikuar
e gjithkjo është vëllazëria Islame.
Zgjohu o musliman!
Rrënimi i kalasë Islame për disa arsye
pa vlerë dhe për ca shkaqe të pabaza është në kundërshtim me ndërgjegjen e
gjallë dhe kundër interesit të përgjithshëm Islam...
Zgjohu! Në hadith është thënë:
Dexhalli, sufjaniu dhe të ngjashëm me ata që do të miqësohen me hipokritët do
të paraqiten në kohën e fundit, ata do ta shfrytëzojnë përçarjen në mes
muslimanëve, do të përfitojnë nga dhënia e muslimanëve pas dynjasë, do ta
shkatërrojnë njerëzimin shumë lehtë, do të përhapin amoralitetin dhe prostituci?onin
në shoqërinë muslimane, do të shkaktojnë luftëra, gjakderdhje, dhe do ta
shkatërrojnë moralin. Në atë rast do të mbizotërojnë mbi popullin musliman dhe
do t'i robërojnë ata. (Zoti na ruajtë)
O besimtarë!
Nëse me të vërtetë ju doni të jetoni
të ndershëm dhe nuk i pranoni prangat e poshtërsisë dhe të ligështisë.
Zgjohuni nga gjumi i thellë.
Kthehuni të kaluarës suaj të ndritshme.
Hyni në kalanë e shenjtë të fortifikuar. Kur'ani fisnik
fton në atë ku thotë:
"Me të
vërtetë besimtarët janë vëllezër"
Në këtë kala mbroni veten tuaj nga
sulmet e diktatorëve kriminel të cilët e shfrytëzojnë përçarjen dhe grupacionin
tuaj të brendshëm..
Nëse refuzoni që të hyni në të,
atëherë nuk do të mundeni t'i mbroni të drejtat tuaja, bile as jetën tuaj.
Nga kontraditat dhe zënkat mes vete humbet edhe ajo pak
fuqi që ka mbetur.
Ja një shembull konkret:
Një fëmijë mund t'i godas dy të fortë
kur ata janë duke luftuar mes vete, poashtu drejtpeshimin e dy kodrave të vëna
në peshojë mund t'ua prish dhe të luajë rol në drejtpeshimin e tyre një
gurralecë, saqë njërën ta çojë lartë e tjetrën ta zbres poshtë.
O popull musliman!
Nëse ju nuk i leni interesat
personale, egoizmin, dhe grupacionet, fuqinë tuaj do ta merrë era, armiku i
juaj me pak fuqi mund t'ju mposhtë dhe t'ju zhdukë. Nëse ju jeni me të vërtetë
të lidhur mes vete siç ju porosit Islami, respektoni parimin pejgamberik ku
thotë:
"Besimtarët
janë si një ndërtesë e fortë që tullat e saj janë të lidhura mirë mes vete".
Vetëm kështu do të shpëtoni nga poshtërsia e kësaj bote
dhe nga ndëshkimi i ahiretit.
Parimi i gjashtë:
Sinqeriteti është faktor shpëtimi në
këtë jetë dhe në të amshueshmen, armiqësia dhe urrejtja destabilizojnë jetën
shpirtërore të besimtarit. Kur mungon sinqeriteti, humbet kënaqësia e ibadetit
ndaj All-llahut. Ai që qëllimisht pëlqen vetëm mendimin e vet dhe të grupit të
tij, edhe punë të mira kur bën, ka për qëllim t'ia kalojë armikut e jo për hir
të All-llahut. Po ashtu ai nuk mund të jetë i drejtë pasi anon dhe ju jep
përparësi atyre që pajtohen me të, në disfavor të palës tjetër. Në këtë rast
humben dhe nëpërkëmbën dy parime të rëndëshishme të mirësisë:
"Sinqeriteti dhe drejtësia" të cilat janë bazë
e mirqënies njerëzore. Rreth kësaj dukurie ka shumë për t'u thënë por ne do të
përfundojmë me kaq.
KAPITULLI I DYTË
"Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit".
"All-llahu është furnizues i madh. Ai është Fuqiploti.
Sa e sa gjallesa janë që nuk kanë
mundësi për furnizimin e vet. All-llahu i furnizon ata edhe juve. Ai është
Dëgjuesi, i Dijshmi".
Pangopësia, shkas i shqetësimit
shpirtëror tek njeriu
O besimtarë!
Nga ajo që u tha më parë, të është
bërë e qartë se sa dëm të madh shkakton hidhërimi dhe armiqësia, por mos harro
se pangopësia (dashuria e tepëruar ndaj pasurisë, pozitës etj.) është një sëmundje
sikur armiqësia, bile në disa raste është më e dëmshme për jetën Islame.
Mu pangopësia është shkak i humbjes së
shpresës, i mposhtjes së individit, sëmundje e rrezikshme, nënçmim dhe mjerim.
Dëshmi konkrete për dëmin që ia sjell
pangopësia individit dhe shoqërisë kemi çifutët. Kur ata vrapuan pas dynjasë si
asnjë popull tjetër, ata i goditi varfëria, poshtërsia dhe nënçmimi. Pasojat
negative të pangopësisë shihen qartë në çdo gjë të gjallë. Ndërsa ata që i
mbështeten Zotit dhe kanë bindje se Ai është furnizues, jetojnë në rehati dhe
të qetë.
Shembull për këtë kemi bimët dhe pemët
të cilat kanë nevojë për ushqim, atyre furnizimi ju ofrohet vetë duke qëndruar
në vend të mbështetura në rrizkun e caktuar duke mos treguar kurrfarë ambicie
për të, bile ata lindin dhe japin fryte më shumë se kafshët, ndërsa kafshëve të
egra nuk ju vjen rrizku përpos pas një mundimi të tyre dhe ajo nuk u është e
bollshme. Kështu ndodhë ngase ata vrapojnë pas saj me ambicie, ndërsa e
kundërta ndodh me kafshët e vogla të cilat nuk janë në gjendje të vrapojnë pas
ushqimit, andaj atyre furnizimi u vjen i gatshëm si pasojë e mbështetjes në
furnizuesin e të gjitha krijesave, pra iu vjen nga depoja e mëshirës së Zotit.
Me këta shembuj na është e qartë se
pangopësia është shkak i vuajtjes dhe mundimit. Ndërsa mbështetja në Zotin dhe
bindja ndaj Tij janë faktorë të qetësisë dhe rehatisë shpirtërore.
Të njëjtin rast e kemi edhe tek bota
njerëzore, shih p.sh. jehudët (çifutët), ata të cilët më së shumti kanë pasione
dhe ambicie pas materializmit, i japin përparësi dynjasë ndaj ahiretit dhe janë
hudhur pas jetës së kësaj bote më shumë se çdo popull tjetër. Andaj Zoti i ka
mposhtruar dhe i ka dënuar nga duart e popujve tjerë. E gjithë kjo ka qenë si
pasojë e grumbullimit të pasurisë së tyre nëpërmjet kamatës të ndaluar, dhe të
flliqur dhe si pasojë e koprracisë së tyre.
Ata kanë gabuar kur kanë menduar se
detyra e tyre është që sa më shumë të grumbullojnë pasuri dhe ta ruajnë atë për
vete duke mos i ndihmuar askujt. Nga ajo që ndodhi me çifutët na bëhet e qartë
se ambicjet e pakontrolluara dhe kopracia çojnë në humbje dhe mposhtrim.
Ka mjaft raste konkrete dhe ndodhi të
panumërta që dëshmojnë se i pangopuri gjithmonë bie në humnerën e humbjes, saqë
proverbi popullor thotë:
"I pangopuri gjithmonë është i varfër dhe në
humbje". Nga kjo të gjithë e kuptojnë se çka e pret të pangopurin. Pasiqë
puna qëndron kështu nëse e do pasurinë pamasë, kërkoje atë me bindje (dhe prej
hallallit) e assesi mos e shiko me sy të pangopur.
Për njeriut të cilit i mjafton pasuria
dhe kënaqet me të edhe kur është pak. dhe për atë që nuk i ngopet syri, mund të
sjellim një shembull. Dy persona hyjnë në një mysafirhane (pallat) të madhe të
cilin e ka përgatitur një person me nam. Njëri prej tyre, nga thellësia e
zemrës thotë: sikur pronari i kësaj shtëpie të më lejojë vetëm të strehohem në
këtë sa të shpëtoj nga acari, do të më mjaftonte. Por, sikur të më lejonte një
ulëse po le të jetë nga ato të fundit, do të ishte një mirësi dhe një fisnikëri
nga ana e tij.
Ndërsa tjetri sillet sikur ka të
drejtë mbi të tjerët dhe sikur ata janë të obliguar t'i shërbejnë dhe ta
respektojnë atë. Kështu i mashtruar ai thotë: pronari i pallatit është i
detyruar që mua të më sigurojë vendin më të mirë ngase unë e meritoj atë dhe
kështu hyn në pallat me mendjemadhësi dhe kërkon vendin më të lartë.
Mirëpo pronari i pallatit i hidhëruar e kthen atë prapë dhe e çon në
vendin më të ulët. Ai hidhërohet, e kaplon mllefi ndaj pronarit të pallatit dhe
kështu mbetet i nënçmuar. Do të ishte më mirë për të që ai të falenderohej për
mirësinë e ofruar, mirëpo ai përkundrazi nuk e bëri atë që i takonte por filloi
ta kritikojë pronarin e pallatit, andaj edhe ai e la pas dore.
Ndërsa, personin e parë i cili hyri në pallat me plot
modesti dhe dëshironte të ulej sa më mbrapa dhe sa më thjeshtë. Pronari e
mirëpriti, e përshëndeti dhe për mirësjelljen dhe modestinë e tij ai e nderoi
atë, duke e ofruar dhe ngritur në vendin më të lartë, ndërsa ai pandërprerë
falenderohej për nderin që i bëhet.
(Vëlla i dashur) kështu pra, bota është pallati i Zotit
Mëshirues, sipërfaqja e tokës është sofra e shtruar e mëshiruesit, të mirat që
ushqehemi, begatitë dhe dhuntitë e Zotit që i shfrytëzojmë janë sikur vendet e
larta në pallatin e lartpërmendur.
Pasojat e dëmshme që sjell pangopësia çdokush mund t'i
kuptojë edhe në punët më të thjeshta. Këtë do ta elaborojmë me tre shembuj:
Shembulli i parë:
Çdo person ndjen bezdisje dhe mërzi në
zemrën e tij kur një lypës orvatet të merr diçka me çdo kusht dhe nuk largohet.
Ndërsa çdokujt i zbutet zemra për të varfërin kur e sheh se ai me të vërtetë ka
nevojë por nuk i mërzit njerëzit duke lypur. Këtij çdokush i ndihmon me dëshirë
aq sa ka mundësi.
Shembulli i dytë:
Kur një natë të ikë gjumi, ti duke mos
ia vurë veshin dhe duke qëndruar i qetë mund të të vijë gjumi. Por nëse ti
fillon të mendosh se pse s'po të zë gjumi, me siguri se nuk do të flije tërë
natën e kështu në këtë mënyrë e largon atë edhe më shumë.
Shembull i tretë:
Ti kur e prit dikë me pa durim dhe ke
ndonjë punë me rëndësi, fillon të mërzitesh pse nuk erdhi? Çka u vonua? Fillon
të humbë durimi kështu që detyrohesh ta braktisësh vendtakimin i pashpresë. Pas
pak kohe vjen personi mirëpo pa rezultat (pasi duke kërkuar takimin më shpejtë
me të e humbë atë krejt).
Fshehtësia dhe urtësia në këto shembuj
është: për t'u bërë një bukë nevojiten disa punë, mjete dhe faza. P.sh. të
lërohet ara, të hudhet fara, të pritet gruri të piqet, pastaj të korret, të
bluhet, të gatuhet dhe të piqet buka, po ashtu edhe gjërat tjera duhet pritur
të kalojnë në faza të duhura dhe atë me durim e shpresë.
Mirëpo i pangopuri ambicioz, nga
mosdurimi nuk i ka në konsideratë këto faza prandaj, ose çohet peshë, kërcen
para kohe dhe bie poshtë, ose nuk pret deri në fund i lë fazat mangut dhe
qëllimit nuk ia arrinë dot.
O vëllezër të hutuar dhe të
rraskapitur nga gajlet e jetës së kësaj bote dhe të zhytur në pangopësi pas
saj! Si i lejoni vetes suaj poshtrimin dhe nënçmimin, vetëm e vetëm të
grumbulloni sa më shumë nga kjo botë. Duke e ditur se nga pangopësia vijnë
shumë dëme dhe telashe, megjithatë ju pranoni çdo pasuri duke mos bërë fare
llogari se vallë a është hallall apo haram? Ju sakrifikoni gjëra të çmuara dhe
me vlera të mëdha me të cilat fitohet jeta e amshueshme, gjersa ju duke u
ngarendur pas dunjasë nëpërkëmbni një shtyllë elementare të Islamit e ajo është
"Zeqati", atë e bëni duke e ditur se ajo është derë e gjërë kah e
cila vie bereqeti dhe pasuria dhe ajo largon sprovimet dhe fatkeqësitë.
Ata të cilët nuk e japin zeqatin e
pasurisë së tyre, humbin nga pasuria aq sa është dashur të japin zeqatin, e
harxhojnë pasurinë në vende ku është humbje për ta ose Zoti u çon telashe dhe
bela që ua nxjerrë atyre sasinë që është dashur ta japin si Zeqatë, por në
shumë raste edhe më shumë se sasia e zeqatit.
Më është bërë një pyetje në ëndërr por
shumë e qëlluar (sikur të mos isha në gjumë), kjo ka ndodhur në vitin e pestë
pas Luftës së Parë Botërore:
Cili është shkaku që popullin musliman e ka përfshirë kjo
varfëri dhe jetë e vështirë, pse pasuria e tyre po nëpërkëmbët, pse ata vuajnë
dhe pse injorohet qenia e tyre?
Kësaj pyetje në ëndërr i jam
përgjigjur si vijon:
All-llahu i lartmadhëruar na ka
obliguar që nga një lloj pasurie të japim një të dhjetën (1/10), për një lloj
tjetër të pasurisë na ka porositur që të japim në katërdhjetë, një (2,5%) ku
nga kjo do të meritojmë dhe do të përfitojmë lutje të sinqertë nga të varfërit,
dhe do të kursehemi nga urrejtja dhe hidhërimi i tyre. Por, ne kur i shtrënguam
duart, u bëmë koprracë dhe nuk e dhamë zeqatin, All-llahu i lartmadhëruar për
mosdhënien e zeqatit na dënon kështu që nga pasuria ynë humbet tridhjetë në
dyzet dhe tetë në dhjetë.
All-llahu kërkon që ne të agjërojmë
për hirë të tij dhe nga uria që bëjmë rezultojnë mbi shtatëdhjetë dobi dhe
urtësi. Këtë e ka kërkuar prej neve njëherë në vit. Neve na mundi epshi dhe
kinse po na dhimbset vetja deshtëm ta kursejmë atë dhe refuzuam që për dobinë e
saj të rrimë uritur një kohë të caktuar.
All-llahu i lartmadhërueshëm na dënoi me uri dhe me mbi
shtatëdhjetë fatkeqësi të cilat vazhduan pes vite me radhë.
Poashtu i larmadhëruari kërkoi nga ne
që t'i zbatojmë disa urdhëra, porosi të dobishme dhe të ndritshme për vetë ne,
të cilst mund t'i kryejmë për një orë brenda njëzetë e katër orëve. Prituam t'i
kryejmë faljet (e pesë kohëve) t'i
bëjmë lutjet e dhikret. Në vend që një orë, Zoti na angazhoi me orë të tëra, me
disa telashe e taksirate dhe u obliguam që në vend të namazit t'i bëjmë disa
ushtrime apo disa ecje të pakuptimta, vetëm që të sillemi poshtë e lartë dhe pa
dëshirën tonë të themi disa shprehje të nënçmuara dhe të detyruara po edhe kjo
vazhdoi afër pesë vjet me radhë.
Po kështu u përgjigja në gjumë. Pastaj
u zgjova nga gjumi dhe u thellova në mendime. Nga kjo ëndërr arrita të nxjerr një të vërtetë shumë të
rëndësishme siç kemi pohuar dhe argumentuar në fjalën e njëzet e pestë kur kemi
bërë një krahasim mes qytetërimit (të rrejshëm) dhe gjykimeve Kur'anore.
Dy fjali janë nga të cilat rezultojnë
të gjitha të ligat dhe anomalitë që e kanë goditur njerëzinë në jetën e tyre
shoqërore: shkatërrimi i moralit dhe prishja e ndërgjegjes. Këto janë burimi i
çdo trazire dhe destabilizimi shpirtëror. Dy fjalitë janë:
E para:
"Kur unë jam i ngopur nuk e kam dert pse të tjerët
vdesin nga uria".
E dyta:
"Puno ti të ha unë, lodhu ti të pushoj unë".
Këto dy fjalë në mënyrë indirekte
praktikohen nga ata që marrin kamatën dhe nga ata që nuk japin zeqatin, edhe
nëse nuk deklarohen si të këtillë.
E vetmja zgjidhje, i vetmi ilaç dhe
bar shërues i sukseshëm për këto dy sëmundje shoqërore është braktisja e
kamatës në tërësi me bindje të plotë se ajo është e dëmshme për shoqërinë
njerëzore.
Shoqëria Islame ta jep zeqatin duke e
kuptuar si obligim të domosdoshëm, sepse dhënia e zeqatit nuk është çështje e
disa personave ose xhemateve, por ajo është një shtyllë e rëndësishme për jetën
e lumtur mbarë shoqërore. Madje zeqati është shtylla mbi të cilën qëndron
vazhdimësia e jetës së lumtur njerëzore.
Njerëzit janë dy shtresa:
Ajo e të pasurve dhe të varfërve. Dhënia e zeqatit është
shpresa e mëshirës dhe e mirësisë nga të pasurit tek të varfërit dhe garanton
nderin dhe respektin e të varfërve ndaj të pasurve.
Në të kundërtën, nga ana e shtresës së
lartë do të ushtrohet dhunë dhe presion ndaj të varfërve dhe shtresës punëtore,
e nga kjo do të lindë mosdëgjueshmëria dhe urrejtje ndaj të pasurve. Kështu do
të fillojë së pari urrejtja, mosmarrëveshjet dhe kundë-rshtimet mes dy
shtresave deri atëherë kur mosmarrëveshjet të thellohen dhe të arrijnë në
përleshje fizike mes punëtorëve dhe kapitalistëve, ashtu siç ndodhi në Rusi.
O vëllezër fisnikë dhe bujarë, ju që keni ndërgjegje
Islame. O ju dorëlirë dhe bëmirës! Nëse ju dhënien e pasurisë suaj nuk e bëni
në emër të zeqatit dhe për hirë të All-llahut, ajo do të shkojë kot dhe nuk do
të keni kurrfarë dobie nga ajo që keni dhënë, bile do të keni tre dëme.
Pasi që ju atë nuk e jepni në rrugë të
All-llahut dhe për hirë të tij, atëherë ju padyshim nga i varfëri do të kërkoni
mirënjohje dhe atë do ta ngulfatni dhe do ta lidhni me prangat e robërisë sepse
për atë e keni ndihmuar.
Kështu, ju do të humbni të drejtën e
lutjes së tij të sinqertë për ju. Pos asaj, ju kështu do të mohoni të mirën e
Zotit që ai ua ka dhënë duke menduar se ju jeni pronarë të pasurisë që posedoni
ndërsa në realitet ju jeni vetëm se zëvendës dhe jeni të urdhëruar që të bëni
ndarjen e pasurisë së Zotit tek robërit e tij.
Ndërsa, kur e bëni të mirën në emër të zeqatit dhe për hirë